(INFOSOT) - Nuk dihet ende asgjë për fatin e 31 vjeçarin Nexhat Arifi, shtetas kosovar, i cili më 28 janar të këtij viti në rrethana misterioze është zhdukur në qendër të Shkupit. Babai i Nexhat Arifit, Sahiti, tha se 17 ditë pas zhdukjes së tij, policia maqedonase ka gjetur veturën e tij në rrethinat e Shkupit me disa dokumente të tij, telefona celular dhe disa aparate të tjera.
“Më 30 janar, në mënyrë misterioze, është zhdukur djali ynë në Shkup. Pas 17 ditëve vetura e tij është gjetur në rrethinën e Shkupit me të gjitha dokumentet, 2 pasaporta, laptop, kamerë, 2 telefona etj.
Dhe që nga ajo ditë nuk kemi ndonjë informacion në lidhje me fatin e tij”, tha babai i Nexhatit, Sahit Arifi i cili shprehet se ka kontaktuar rregullisht me zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë për të marrë ndonjë informatë në lidhje me djalin e tij, mirëpo sipas tij, autoritetet maqedonase ende nuk kanë dhënë hollësira mbi rastin.
“Para dy ditëve, isha në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë. E kam parë edhe veturën, kam biseduar edhe me disa persona atje të cilët thonë se nuk dimë hollësisht për fatin e tij. Policia thotë se në bazë të telefonave është vërtetuar se paraprakisht i është dërguar një mesazh nga një femen, ndërsa më tutje nuk dimë asgjë”, tha Arifi
Ndërsa, zyrtarë të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur se janë të informuar me rastin dhe se në bashkëpunim me autoritetet maqedonase, po punojnë për zbardhjen e fatit të 31 vjecarit të zhdukur.
“Të gjitha pistat e hetimeve janë zhvilluar nga ana e Policisë së Kosovës. Kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me autoritetet maqedonase për zbardhjen e këtij rasti, kemi pasur edhe komunikim të përafërt, mirëpo deri tani ende nuk ka ndonjë rezultat të theksuar”, tha Sabrie Kamberi, Zëdhënëse e Policisë së Kosovës.
Ndryshe Nexhat Arifi ishte përfaqësues i firmës “Toshiba” në Kosovë, dhe si rrjedhojë ai ka pasur kontakte të vazhdueshme me bashkëpunëtorët e tij nga Maqedonia. /B.Rexhallari/
 |
17 gusht, 2010