|
Nacionale
|
|
E premte, 12 Mars 2010 16:36 |
(INFOSOT) - Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale 5 ditëshe të balotazhit të përsëritur në Gjilan.
Kandidati i kësaj partie, Fatmir Rexhepi, është shprehur i bindur në fitoren e tij më 14 mars, ndërsa e vlerësoi si ditë historike pasi që më 14 mars 1990 është themeluar dega e Lidhjes Demokratike e Kosovës në Gjilan.
Në përmbylljen e fushtës morën pjesë përsonalite të larta të LDK, AAK dhe LDD, të cilët do ta mbështesin Rexhepin në ditën e votimit.
"Koalicioni Demokratik për Gjilanin të cilin e kam shpalosur gjatë fushatës ka të bëjë me Gjilanin, me zhvillimin e anamoravës si dhe me shtetin e ri. Ju garantoj se Koalicioni Demokratik po ecë drejt fitores. Ky konstatim yni vie nga takimet me qytetarët e të gjitha sferave", tha kandidati Fatmir Rexhepi, para simpatizatëve.
"Ky koalicion do të krijojë partneritet me qytetarët, donatorët, me bizneset dhe me qeverinë, por pasi të ndrrohet qeveria", shtoi Rexhepi.
Nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, u shpreh se më 14 mars përfundimisht do të ndryshojë Gjilani me fitoren e Koalicionit.
"Populli ynë thotë, 'mos luaj me magjen e askujt'. Ju çdo ditë jeni dëshmitarë se po preket magjja e qytetarëve, po preket sofra e familjes sonë. Ne me kandidatin tonë për kryetar, Fatmir Rexhepin, neser kryetar i komunës, do ta begatojmë magjen e shqiptarëve, do ta begatojmë mallin e çdo familje dhe sofrën tonë, sepse nuk zgjidhet problemi duke ofru sot një pako ushqimore, por problemi zgjidhet duke ofro perspektivë për punësim, për zhvillim për jetë më të mirë për të gjithë ne", ka thënë Haziri.
I pranishëm ishte edhe lideri i AAK, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh i sigurt në fitoren e Fatmir Rexhepit. Ai u kërkoi qytetarëve të dalin masovisht në zgjedhje dhe ta votojnë kandidatin e LDK.
"Unë besoj shumë se ky koalicion me Fatmir Rexhepin do t'i fitojnë zgjedhjet e fituara më herët dhe me këtë rast do të nxjerrin një mësim të mirë për ata që kanë mendu, që në mënyrat çfarë kanë vepru me e ngulfatë demokracinë dhe me i ngulfatë trendet e mira në vend", është shprehur Haradinaj.
Në emër të LDD, foli nënkryetari Xhemajl Hyseni, i cili u shpreh i bindur se më 14 mars qytetarët do ta votojnë Fatmir Rexhepin.
 |