|
Bota & Rajoni
|
|
E premte, 12 Mars 2010 17:36 |
(INFOSOT) - Nga organizata joqeveritare "Realiteti" akuzojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme se për gjashtë orë ka marrë në bisedë informative 2 aktivistë të saj duke i kërcënuar se do t'i largojnë nga vendet e punës ku punojnë nëse nuk ndërpresin aktivitetin në OJQ-në që veprojnë.
Sipas kryetarit të kësaj organizate Valon Bela, aktivistët në ambiente të panjohura për 6 orë janë pyetur për punën e organizatës, aktivitetet që do t’i ndërmarrin si dhe udhëtimeve të tyre brenda dhe jashtë shtetit. Nga ‘Realiteti’ të cilët dënojnë këtë akt, thonë se po punojnë në bazë të ligjit. Dyshojnë se kjo vjen si pasojë e aktualizimit të politikave siç thonë ata diskriminuese ndaj shqiptarëve.
“Po vetë fakti që 5 – 6 orë të mbajnë ty në lokacion të panjohur për familjarët, lokacion edhe për vetë kolegët aty ku kanë punuar ata është një lloj maltretimi dhe traumatizmi i vetë aktivistëve tanë. Me këtë konstatojmë se shteti ynë mund të jetë çfarëdo por ai nuk mund të jetë i lirë, i drejtë, demokratik dhe për të gjithë njësoj. Këso goditje të ulëta dhe klasike ndërmarrin vetëm qeveritë që nuk kanë kapacitet shtet formues”, tha Valon Bela, kryetar i OJQ Realiteti.
Ndërkohë nga Ministria e Brendshme thonë se nuk janë të njoftuar për rastin dhe kërkojnë nga Organizata Realiteti që ta denoncojë atë në ministri. Prej atje thonë se “Nëse konstatohet që policia ndaj aktivistëve të Realitetit ka tejkaluar kompetencat atëherë atyre do t‘u shqiptohen sanksione”.
Megjithatë nga organizata joqeveritare ‘Realiteti’ thonë se edhe përkundër këtyre kërcënimeve, do të vazhdojnë me hulumtimin e politikave diskriminuese të institucioneve ndaj qytetarëve pa bërë dallime.
“Na ndodhi edhe kjo, ku pas enciklopedisë me “shiptari” dhe “njerëz nga mali”, me patriotë dhe tradhtarë, të goditet edhe sektori civil dhe fjala e lirë. Ky sulm dënohet ashpër nga OJQ Realiteti dhe konsiderohet si sulm qyqar ndaj fjalës së lirë. Reagimet e vazhdueshme të OJQ Realiteti janë dëshmi se e duam shtetin tonë dhe se duam ta shohim atë të lirë, të drejtë, demokratik dhe për të gjithë njësoj. Edhe përskaj këtyre kërcënimeve, OJQ Realiteti do të vazhdon të hulumton politikat diskriminuese institucionale ndaj qytetarëve pa dallim etnie, feje, etj"./Bedri Rexhallari/
 |